Linda Fetahu ndalohet në kufi nga autoritetet serbe: “Nuk jam mysafire në vendlindjen time”
Dheu i Bardhë, 8 qershor 2025 – Aktivistja nga Lugina e Preshevës, Linda Fetahu Krivanjeva, ka denoncuar ndalimin dhe intervistimin e saj për më shumë se tre orë nga autoritetet kufitare serbe, në pikën kufitare në Dheu i Bardhë, teksa po udhëtonte me familjen drejt Kosovës.
Në një reagim publik të postuar në rrjetet sociale, Fetahu ka bërë të ditur se ndalimi kishte të bënte me të kaluarën e saj gjatë luftës në Kosovë dhe përfshirjen në kontekstin e konfliktit në Luginën e Preshevës, si dhe me qëndrimet e saj të shprehura publikisht.
“Më pyetën në detaje për të kaluarën time dhe për reagimet e mia në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si jo të pranueshme për paqen,” shkruan ajo.
Fetahu, e lindur dhe rritur në Letovicë të komunës së Bujanocit, theksoi se identiteti dhe lidhja me vendlindjen nuk janë çështje që duhen kontestuar nga autoritetet shtetërore.
“Nuk jam mysafire në vendlindjen time. Letovica është trashëgimi dhe amanet nga babai im. Është identiteti im dhe i familjes sime,” thekson ajo në reagimin e saj.
Ajo gjithashtu shprehu shqetësim se mund të jetë vendosur në një listë verifikimi, çka do të thotë se kalimet e ardhshme përmes kufirit mund të bëhen edhe më të vështira.
“Ky veprim i qëllimshëm i shtetit serb ma dëshmoi sërish se nuk jam e mirëpritur në vendin tim të lindjes. Çdo kalim kufitar po kthehet në një sfidë dhe formë presioni psikologjik ndaj meje dhe familjes,” shkruan Fetahu.
Pavarësisht përjetimit të pakëndshëm, ajo konfirmon se është mirë dhe ka arritur të hyjë e sigurt në Kosovë me familjen. Por ngre zërin kundër asaj që e cilëson si diskriminim të vazhdueshëm institucional.
Në fund të reagimit, Fetahu i drejtohet shtetit serb me një mesazh të qartë:
“Është mirë që shteti dhe politika serbe ta kuptojnë se paqja nuk arrihet me frikësime, ndalime apo diskriminime. Paqja kërkon njohje të plotë, drejtësi dhe respekt për të drejtat e çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes së tij.”
Reagimi i plotë i Lindës Fetahu është postuar në rrjetet e saj sociale dhe ka ngjallur reagime dhe solidaritet nga qytetarë e aktivistë në Kosovë dhe Luginë.