Kryetari i Fushë Kosovës pret aktivistin e shqiptarëve të Luginës, Muharrem Salihu
Fushë Kosovë, – Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, z. Burim Berisha, ka pritur sot në takim zyrtar z. Muharrem Salihu, aktivistin e komunitetit shqiptar të Luginës së Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, dhe president i organizatës humanitare AFEDS.
Qëllimi i vizitës ishte shprehja e mirënjohjes institucionale për mbështetjen që Komuna e Fushë Kosovës u ka dhënë ndër vite shqiptarëve të zhvendosur nga Lugina, të cilët kanë gjetur strehë, përkrahje dhe integrim në këtë komunë pas luftës së fundit.

Z. Salihu, një afarist i suksesshëm me biznes në Itali dhe kandidat për Parlamentin Evropian në zgjedhjet e vitit 2024, vjen nga radhët e diasporës aktive që angazhohet në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë, me fokus të veçantë në trajtimin e pasivizimit të adresave dhe represionit administrativ nga autoritetet serbe në Luginë.
Në këtë takim, të dy palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e përkrahjes institucionale për komunitetin shqiptar të Luginës që jeton në Fushë Kosovë, si dhe për iniciativa të përbashkëta që synojnë fuqizimin e pozitës së tyre politike, sociale dhe ekonomike.
Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të lidhjeve mes institucioneve vendore dhe përfaqësuesve të shqiptarëve në Luginë, në kohën kur mbrojtja e të drejtave të tyre kërkon bashkërendim kombëtar, zë të përbashkët dhe mbështetje të strukturuar.
📷 Në takim: z. Burim Berisha dhe z. Muharrem Salihu, në ambientet e Komunës së Fushë Kosovës.
A1 info