Kriza e ujit në Preshevë vazhdon – disa lagje ende pa ujë të pijshëm
Preshevë, 5 qershor 2025 – Pavarësisht premtimeve të përsëritura nga pushteti lokal, kriza e ujit të pijshëm në Preshevë vazhdon të mbetet një problem i madh për banorët e disa lagjeve.
Aktivisti dhe asamblisti Visar Memeti ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, duke ngritur shqetësimin për mungesën e ujit të pijshëm në disa pjesë të qytetit. Ai thekson se, edhe pse kohë më parë u publikuan me pompozitet pamje nga Ardita Sinani për “hapjen e pusetave” dhe zgjidhjen e problemit, gjendja reale në terren është krejt ndryshe.
Sipas Memetit, lagjet më të prekura janë ato përgjatë rrugës së Gjilanit dhe të Vrajës, ku banorët përballen çdo ditë me mungesë të ujit. Ai shton se është kontaktuar nga shumë qytetarë që shprehin shqetësimin dhe pakënaqësinë e tyre ndaj kësaj situate.
“Edhe ky është një premtim i mbetur në letër nga Ardita Sinani. Pushteti aktual po dëshmon paaftësi dhe papërgjegjësi totale për të siguruar një të drejtë elementare për jetesë – furnizimin me ujë të pijshëm”, ka deklaruar Memeti.
Ndërkohë, autoritetet komunale nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar lidhur me zgjatjen e krizës dhe hapat që do të ndërmerren për zgjidhjen e saj.