“Dashuria” e Shqiptarëve për Shtetin
(Kur Edhe Ti Je Pjesë e Hajnisë)
Për me ditë sa e duam shqiptarët shtetin- Kosovën – nuk ka nevojë me flamuj, me statuse patriotike apo me fjalime festivalesh. Merr 500 euro në xhep dhe ndalo në dhjetë pompa benzine radhazi. Mbush nga 10 euro në secilën. Çka vëren? Askush s’të jep kupon fiskal.
Shko në ndonjë servis, blej ndonjë pjesë për veturë prapë, asnjë faturë. Hyn në ndonjë dyqan të vogël, të shesin çka të duash, veç mos fol për kupon. Bli përdorë, shit përdorë “hajde mos u bë kishe inspektor”.
Nëse je me fat, në ndonjë market, ndonjë kafene ose ndonjë qendër tregtare, do të shohësh arkë me printer fiskal. Diku-diku, ndonjë biznes ende e mban dashurinë për shtetin. Por shumica jo.
Matematika e Mashtrimit
Mungesa e një kuponi fiskal s’është thjesht çështje teknike, është evazion i pastër. Po të mblidhen 10 mijë njerëz që blejnë çdo ditë nga 20 euro pa kupon, kemi 200,000 euro qarkullim të paregjistruar. Vetëm nga TVSH-ja (18%), shteti humb 36,000 euro në ditë. Për 30 ditë? Mbi 1 milion euro që zhduken pa lënë asnjë gjurmë.
Kjo nuk është vetëm hajni ndaj shtetit – është hajni ndaj vetvetes. Është më pak për shëndetësinë, më pak për arsimin, më pak për ndihmë sociale, më pak për infrastrukturë. Dhe është një rreth vicioz:
më pak shtet → më shumë mosbesim → më shumë evazion → më shumë kaos.
Patriotizëm Pa Printer Nuk Ka
T’i shpëtosh shtetit disa euro në tatime mund të duket si fitore personale. Por në kolektiv, është katastrofë. Shteti nuk ndërtohet me fjalë, por me sjellje. Dhe kuponi fiskal është një nga aktet më të thjeshta, më të heshtura, por më të rëndësishme të patriotizmit të përditshëm.
Nëse nuk kërkon kupon – je bashkëpunëtor.
Nëse nuk jep kupon – je pjesë e hajnisë.
Nuk ka mes. Nuk ka justifikim. Nuk ka “veç këtë herë”.
Pjesëmarrje në Hajni = Heshtje në Varfëri
Nuk mund të ankohemi për shtet që nuk funksionon, kur çdo ditë kontribuojmë në rrënimin e tij. Nuk mund të kërkojmë më shumë nga shteti, kur vetë ia presim këmbët. Nuk mund të jemi patriotë në 28 nëntor, dhe hajnë më 29.
“Dashuria” për shtetin nuk është emocion – është sjellje.
Nëse je pjesë e hajnive të vogla të përditshme, edhe ti je përgjegjës për katastrofën e madhe.
Redaksia