Pas ankesës së drejtuar KKSH-së, ndryshohen kushtet për bursat – kërkohet transparencë dhe llogaridhënie
Preshevë – Procesi i ndarjes së bursave nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) ka hyrë në qendër të kritikave pas një reagimi publik nga Rinor Krasniqi, ish-këshilltar i PVD-së, i cili e ka cilësuar procesin si selektiv dhe të padrejtë ndaj të rinjve që nuk ndjekin linjën politike të shumicës në KKSH.
Reagimi i më parshën https://a1info.news/akuza-per-diskriminim-ne-ndarjen-e-bursave-rinor-krasniqi-kritikon-kksh-ne/
Krasniqi ka bërë të ditur se ka dorëzuar një kërkesë zyrtare drejtuar anëtarëve të KKSH-së, konkretisht Driton Billallit dhe Ebkel Rexhepit, duke ngritur shqetësimin për mungesë transparence dhe shkelje të kritereve të vetëpërcaktuara në konkursin për bursa.
Pas kësaj kërkese, KKSH ka ndryshuar arsyetimet e refuzimit në listën preliminare – veprim që ka ngjallur dyshime edhe më të mëdha për drejtësinë e procesit. “Transparenca nuk ndryshon me kërkesa, por duhet të jetë parim,” u shpreh Krasniqi.
Ai shton se është e papranueshme që arsyet e refuzimit të jenë të paqarta apo të ndryshohen vetëm pas presionit publik. Prandaj, kërkohet që secilit student t’i dërgohet me shkrim arsyetimi zyrtar për refuzimin.
“Përgjegjësia dhe llogaridhënia ndaj studentëve është detyrim, jo privilegj,” përfundon ai.
Deri më tani, nuk ka pasur një reagim të detajuar nga ana e KKSH-së në lidhje me ndryshimet dhe kërkesat për sqarime.