Miratoc – Kryetari i Bashkësisë Lokale merr përgjigje nga MPB për kufirin me Llojanen, ndërsa pushtetit i kujtohet vonë të veprojë
Miratoc, 21 maj 2025 – Kryetari i Bashkësisë Lokale të Miratocit, së bashku me organizatën joqeveritare UNIK, kanë pranuar një përgjigje zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me hapjen e pikës kufitare Miratoc–Llojan. Kjo përgjigje është rezultat i përpjekjeve të qytetarëve dhe aktivistëve, të cilët pa asnjë mbështetje nga institucionet komunale, kanë vepruar me mjete të tyre personale dhe me vullnet të sinqertë qytetar.
Ndërkohë, kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, vetëm së fundmi është kujtuar të dërgojë një shkresë në MPB, duke u përpjekur të përfshihet në një proces ku nuk ka kontribuar asgjë deri më tani. Kjo ndërhyrje e vonuar, më shumë se angazhim institucional, shihet nga banorët si një përpjekje për të marrë merita politike në një proces që është shtyrë përpara nga qytetarët e zakonshëm.
Kjo situatë nxjerr në pah dështimin e pushtetit komunal për të vepruar në kohë dhe me seriozitet për interesat e komunitetit. Për muaj të tërë, institucionet lokale kanë heshtur, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret dhe kanë injoruar kërkesat për hapjen e kësaj pike kufitare me rëndësi jetike për banorët e zonës.
“Ne kemi trokitur në çdo derë, kemi shpenzuar nga xhepi ynë dhe nuk jemi ndalur – ndërkohë që pushteti merret me fotografi, ceremoni dhe shetitje në kafene. Sot kemi një përgjigje nga MPB-ja falë qytetarëve, jo falë komunës,” deklaron një anëtar i bashkësisë lokale.
Qytetarët kërkojnë që Komuna e Preshevës të ndalë propagandën dhe të fillojë të punojë për qytetarët – jo vetëm kur u kujtohet, por me përkushtim të vazhdueshëm dhe të sinqertë.
Përgjigjja nga MPB-ja do të bëhet publike në ditët në vijim dhe përfaqëson një hap konkret përpara – të cilin institucionet vendore e kanë injoruar, por qytetarët e kanë realizuar.
Raporton A1 info