SAQIPI: PËRTEJ PROVOKIMEVE: TË RUHET QETËSIA, BASHKËJETESA DHE DINJITETI NË BUJANOC
Deklaratë për opinionin publik nga Shoqëria Civile e Luginës së Preshevës
Ngjarja e fundit që ka të bëjë me vandalizimin e portretit të Komandant Lleshit, alias Ridvan Qazimi – një figurë e respektuar për rolin e tij në dialogun paqësor dhe procesin e demobilizimit në Luginë – ka ngjallur shqetësim të madh në opinionin publik. Ky akt i papranueshëm, që bie në prag të manifestimit tradicional “Ditët e Komandant Lleshit”, nuk është vetëm një sulm ndaj një simboli të historisë sonë, por edhe një përpjekje për të cenuar paqen e brishtë dhe harmoninë ndërqytetare në komunën tonë multietnike.
Komuna e Bujanocit është një shembull i rrallë bashkëqeverisjeje shqiptaro-serbo-rome, një model që nuk gjendet në asnjë komunë tjetër të rajonit, dhe që është ndërtuar me shumë përpjekje, durim dhe kompromis. Është detyrë e përbashkët e të gjithë akterëve – politikë, institucionalë dhe qytetarë – që ky model të mos dëmtohet nga veprime të papërgjegjshme dhe të izoluara.
Shoqëria Civile e Luginës së Preshevës bën thirrje për maturi, përmbajtje dhe reflektim të thellë, sidomos në deklaratat publike. Kjo është koha për të ndërtuar ura, jo për të thelluar hendekë. Nuk duhet lejuar që provokime të tilla të përdoren si benzinë për retorika të nxehta politike apo për përfitime afatshkurtra.
Akte të tilla duhen dënuar me vendosmëri, por pa i dhënë terren tensioneve apo përgjithësimeve. Fajtori është individ, jo komunitet. Është detyrë e organeve kompetente që të kryejnë hetimet dhe të zbardhin rastin, pa zvarritje e pa heshtje.
Kujtesa historike dhe nderimi për figurat tona nuk bëhet përmes konfrontimit, por përmes përkushtimit dhe qëndrueshmërisë. Siç ka ndodhur në të kaluarën, edhe këtë herë, manifestimi “Ditët e Komandant Lleshit” do të vazhdojë me dinjitet dhe respekt, siç i ka hije një shoqërie që e ka provuar me mish e me shpirt çmimin e paqes, thuhet në deklaratën e kryetarit të Shoqërisë Civile në Luginë të Preshevës, Nexhmedin Saqipi.
Bujanoc, më 17 maj 2025
Shoqëria Civile e Luginës së Preshevës