Abdixhiku i prerë: Nuk ka kompromis me VV-në – nuk do të takohem me ta në asnjë variant
Prishtinë, 21 prill 2025 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas përfundimit të seancës së Kuvendit, ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi me Lëvizjen Vetëvendosje (VV).
Në një prononcim për media, Abdixhiku u shpreh qartë se nuk do të takohet me përfaqësues të VV-së për të diskutuar ndonjë marrëveshje politike. Ai theksoi se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit ka nevojë për një kompromis dhe mbështetje më të gjerë, por jo nga LDK.
“Në asnjë variant nuk ka kompromis me partinë e parë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe as nuk do të takohem me ta në çfarëdo varianti për të gjetur një kompromis politik,” – tha Abdixhiku.
Sipas tij, edhe seanca e sotme dëshmoi se Vetëvendosjes i mungon përkrahja e nevojshme dhe se kërkon një bazë më të gjerë politike për të qeverisur.
Deklarata e Abdixhikut vjen në një moment vendimtar për zhvillimet politike në vend, ndërkohë që proceset e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të fundit mbeten ende të paqarta.