Hiqen plastikat nga stadiumi i qytetit – dyshime për keqpërdorim të buxhetit?
A1 Info | Nga vendi i ngjarjes
Një situatë absurde është duke ndodhur në qytet. Stadiumi i vogël, i cili vetëm pak kohë më parë u rregullua me plastikë dhe një kënd lodrash për fëmijë, tani është duke u çmontuar. Punëtorët janë parë nga ekipi i A1 Info duke hequr plastikat që u vendosën me buxhet publik dhe për të cilat u harxhua një shumë e konsiderueshme.

Sipas burimeve të A1 Info, është planifikuar që dy stadiumet e vegjël të shtrihen me bari artificial, çka e bën të pakuptimtë investimin paraprak nga plastika, që sot po çmontohen pa asnjë shpjegim zyrtar.
Ndërkohë, punimet në stadiumin e madh vazhdojnë të jenë të bllokuara. Organi i përkohshëm dhe pushteti aktual jo vetëm që nuk kanë avancuar asnjë metër ndërtim në atë hapësirë, por sipas informacioneve, kanë penguar vazhdimin e punimeve, duke e lënë stadiumin në gjendje të mjerueshme.
Shtrohet pyetja: si është e mundur të prishet një investim i sapo bërë, ndërkohë që nuk përfundohet stasiumi i madh? A ka këtu vend për dyshime për keqpërdorim të buxhetit nëpërmjet tenderomanisë?
Qytetarët me të drejtë mund të pyesin nëse këto fonde do të ishte më mirë të investoheshin në nevoja më urgjente dhe konkrete të komunitetit.
Për shembull:
Shkolla fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, ku nxënësit vazhdojnë mësimin në kushte të papërshtatshme, Shtëpia e shëndetit, e cila nuk ofron analiza bazike dhe detyron qytetarët të udhëtojnë deri në Vranjë për shërbime shëndetësore.


Këto janë prioritetet e vërteta për të cilat duhet të mendojnë institucionet. Ndërkohë, çdo cent që shpenzohet në projekte të pasigurta e pa planifikim, bie drejtpërdrejt në kurriz të qytetarëve.
A do të ketë përgjegjësi për këtë çorganizim dhe shpërdorim të mundshëm të mjeteve publike? Apo do të vazhdojmë të jetojmë në qytetin e tenderëve, ku gjithçka rregullohet sot për t’u prishur nesër?
A1 Info do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë çështje dhe të sjellë për lexuesit zhvillimet më të fundit.

