Preshevë: Aktiviteti “Përralla për Fëmijë” sjell buzëqeshje dhe magji në bibliotekë
Në kuadër të projektit “Aktivizmi për pasionin e librit”, një grup nxënësish vullnetarë në Preshevë ka realizuar me sukses aktivitetin e radhës me fëmijët parashkollorë, duke sjellë atmosferë të ngrohtë dhe argëtuese në ambientet e Bibliotekës së Qytetit.
Grupi i fëmijëve nga Enti Parashkollor “8 Marsi”, të shoqëruar nga edukatoret Ramize Dalipi dhe Zividaje Veseli, vizituan bibliotekën ku u pritën me përkushtim nga nxënësit vullnetarë. Fëmijët patën rastin të njihen nga afër me sektorët e ndryshëm të bibliotekës, por më së shumti u mahnitën nga sektori për fëmijë, i mbushur me libra ilustrativë, materiale audio dhe ambiente të përshtatshme për moshën e tyre.
Surpriza më e madhe për ta ishte shfaqja e përrallës “Vajza dembele” përmes një video projektori, organizuar nga nxënësit vullnetarë që po zbatojnë projektin “Përralla për Fëmijë”. Me sy të shkëlqyer nga emocionet dhe kërshëria, fëmijët ndoqën përrallën dhe në fund ndanë pjesët që i lanë më shumë mbresa.
Aktiviteti u pasurua edhe me recitime dhe tregime nga vetë fëmijët, të cilat i kishin mësuar në kuadër të plan-programit mësimor. Kjo nismë jo vetëm që i afron fëmijët me librin, por edhe nxit kreativitetin dhe dashurinë për lexim që në moshë të hershme.


