Pse Luginasit duhet ta mbështesin Lëvizjen Vatra me seli në Gjilan
Ka ardhur koha që ta themi troç: Luginasit u lanë në baltë nga të gjithë! U lanë nga Serbia që i shtyp dhe i zhduk ngadalë, por edhe nga ata që duhet të ishin gardianët e tyre nga shteti i Kosovës, nga politikanët që s’kanë ditur tjetër veçse ta përdorin Luginën si flamur për fushata dhe ta harrojnë në ditën e parë pas zgjedhjeve.
Lëvizja Vatra nuk lindi në zyra luksoze. Lindi nga zemra dhe dhimbja e atyre që kanë vuajtur burgjet serbe për të drejtat e shqiptarëve. Themeluesit e saj nuk mundën të kthehen në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë sepse shteti serb nuk i fal ata që kanë luftuar për liri. E kur ata mbetën rrugëve të Kosovës, ishte Gjilani që i strehoi, por asnjëherë nuk i përqafoi me dinjitetin që merituan.
Institucionet e Kosovës? Heshtje! Asnjë strategji, asnjë masë lehtësuese për bizneset nga Lugina. Përkundrazi, akciza, dogana, barriera pas barriere. Në vend që të ndihmojnë, i shtynë edhe më shumë drejt mbylljes, drejt shpërnguljes, drejt ikjes. Dhe kështu, vendlindja jonë po zbrazet, po vdes ngadalë – ndërsa ne shikojmë e heshtim.
Por Lëvizja Vatra nuk heshti. Ajo i ngriti zërin padrejtësisë. Ajo i mblodhi dosjet, faktet, emrat dhe historitë. Me vullnet, me përkushtim, me gjak shqiptari! Pa asnjë mbështetje financiare, vetëm me fuqinë e idealit dhe me plagët që s’flenë.
Sot, Luginasit në Kosovë veçanërisht në Gjilan, ku janë motori i gjallë i ekonomisë e kanë për detyrë morale dhe kombëtare ta mbështesin Vatrën. Sepse Vatra nuk është thjesht një subjekt politik. Është shpresa e fundit që po mban gjallë frymën e rezistencës shqiptare në Luginë.
Mbështetja ndaj Vatrës është një akt dinjiteti. Është kthimi i shpresës në trojet tona. Është refuzimi për të qenë më tej viktima të heshtjes e harresës.
Nëse e do Preshevën, mos e harro! Nëse të dhemb Bujanoci, mos e hesht! Nëse ke rrënjë në Medvegjë, mos i pre me dorën tënde! Mbështete Vatrën mbështete të vetmen dritë në një errësirë që po na mbulon gjithnjë e më shumë.
Luginasit s’duhet ta harrojnë kush i la në baltë mbështeteni Lëvizjen Vatra!
NgaKujtim Sadriu