SHBA përjeton ditën më të madhe të protestave kundër Trump dhe Elon Musk – Rreth 1,200 ngjarje në të gjithë vendin
Washington, D.C. – Rreth 1,200 protesta janë planifikuar për t’u mbajtur të shtunën në të gjithë Shtetet e Bashkuara, në atë që organizatorët presin të jetë dita më e madhe e protestave kundër presidentit Donald Trump dhe aleatit të tij të ngushtë, miliarderit Elon Musk. Protestat janë përgjigje ndaj përpjekjeve të fundit të tyre për të ndryshuar strukturat e qeverisë dhe për të zgjeruar autoritetin presidencial, shkruan Reuters, transmeton A1 Info.
Mijëra protestues kanë vërshuar rrugët e Washingtonit ndërsa demonstratat kanë nisur mes reshjeve të shiut dhe qiellit të zymtë. Organizatorët i thanë Reuters se mbi 20,000 persona pritet të marrin pjesë në tubimin qendror në National Mall.
Këto protesta shihen si një mundësi për kundërshtarët e presidentit Trump për të demonstruar publikisht pakënaqësinë ndaj urdhrave të tij ekzekutivë, që shumë i kanë konsideruar si autoritare.
Sipas faqes zyrtare të ngjarjes, rreth 150 organizata dhe grupe aktiviste janë regjistruar për të marrë pjesë në protestat që shtrihen në të gjitha 50 shtetet amerikane, si dhe në Kanada dhe Meksikë. Në rrugën e njohur Connecticut Avenue në Washington, protestuesit prisnin autobusa për t’u bashkuar me turmën në qendër të qytetit, duke mbajtur pankarta me mesazhe të fuqishme si “Jo mbretër në SHBA” dhe “Deport Musk”.
A1 Info do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet dhe të sjellë raportime të përditësuara në lidhje me situatën në terren.
Burimi: Reuters, përkthim dhe përshtatje nga A1 Info.