Nxënësit e klasës së II-të dhe III-të të shkollës së fshatit Norçë vizitojnë bibliotekën e qytetit në kuadër të Ditës së Librit për Fëmijë
Në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Librit për Fëmijë, nxënësit e klasës së II-të dhe III-të të shkollës së fshatit Norçë vizituan bibliotekën e qytetit.
Fillimisht, nxënësit u njohën me sektorin e vendlindjes, por kureshtja e tyre u përqendrua te sektori i fëmijëve, ku librat e ekspozuar i tërhoqën me ngrohtësinë dhe magjinë e botës së tyre. Me këtë rast, nxënësit recituan poezi dhe lexuan tregime të përgatitura posaçërisht për këtë ditë, ndërsa njëri prej tyre solli edhe një vizatim të veçantë.
Organizatori Hasan Hasani i prezantoi nxënësve të gjithë sektorët e bibliotekës, duke i informuar në detaje për rëndësinë dhe përmbajtjen e secilit prej tyre. Në fund të vizitës, nxënësit morën mesazhin e rëndësishëm se dija fitohet përmes leximit.
Drejtoresha e shkollës, Albina Azizi, i inkurajoi nxënësit që, nën përcjelljen e prindërve, të regjistrohen në bibliotekën e qytetit për të huazuar libra dhe për të ushqyer pasionin për leximin.
Ky aktivitet shënoi një ditë të veçantë për fëmijët, duke i afruar më shumë me botën e librave dhe duke i frymëzuar për të zhvilluar dashurinë për leximin.



