Presidentja Vjosa Osmani Cakton 15 Prillin për Seancën Konstituive të Kuvendit të Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 15 prill 2025 për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Seanca e parë do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë, ku Kuvendi do të zgjedhë Kryetarin dhe pesë Nënkryetarët e tij. Kryeparlamentari propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61). Tre nënkryetarët propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy të tjerë nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Pas konstituimit të Kuvendit, nis procedura për formimin e Qeverisë. Presidentja, në konsultim me partinë apo koalicionin fitues, propozon kandidatin për kryeministër.
Sipas rezultateve të certifikuara më 27 mars, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse, Partia Demokratike 24 ulëse, Lidhja Demokratike 20 ulëse dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse, ndërsa minoritetet kanë 20 ulëse. Deri tani, Vetëvendosje nuk ka konfirmuar ndonjë koalicion për të siguruar shumicën e nevojshme.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, deklaroi për “KOHËN” se subjektet dhe propozimet për pozitat përkatëse do të bëhen në përputhje me kohën dhe afatet ligjore.