Nga Çuna Lajqi: Ti e di kush je! Mos ia var veshin karvanit mbrapa!
Ti duhet të jetosh për veten tënde, për pantallonat që i vesh çdo mëngjes, për këpucët që i tërheq rrugëve të kësaj bote, për këmishën që e ndan lëkurën tënde nga vdekja.
Pije kafen me qindarkat që cingërojnë në xhepat e thellë të pantallonave të vjetra. Shetit me hijen tënde dhe mos u ndal te dëshirat e të tjerëve, te qejfet apo inatet e tyre.
Ti kurrë s’do të jesh i mirë për të gjithë.
As për fëmijët e tu! Njëri do të të kundërshtojë përherë. Njëri do të jetë përjetësisht në krah të nënës.
Atëherë, pse pret të të duan të gjithë?
Ata që të shohin rrugëve, në kafene, ata që lexojnë fjalët e tua, ata që dëgjojnë zërin tënd nëpër këngë?
Ore, pse pret të të duan të gjithë? Je i qalë? Je i sëmurë? Je budalla ti?
Fliste si i tërbuar. Hidhte hapa para, hapa pas. Vendnumëronte, priste ajrin me duar, sikur të griste një perde të padukshme.
Luftonte me makthin e vet. Po, me makthin e një fotografie.
Dikush, një nga ata që duan të përfitojnë nga emri i tij, e kishte postuar në rrjetet sociale. Një kornizë e nxjerrë nga një film, ku ai shtrihej në varr. Dhe tani, të tjerët e shpërndanin, duke i varur mbi të lloj-lloj mbishkrimesh.
Kurrë s’do të jesh i mirë për të gjithë.
Dhe ky është bekimi yt!
Sepse gjithnjë do të gjendet një pasqyrë që e zbulon fytyrën tënde të vërtetë. Dikush do ta dojë atë fytyrë, dikush do ta urrejë.
Mos prit të të duan!
Prit të të urrejnë, sepse njerëzit shpesh ecin në drejtimin e kundërt të së bukurës.
Fatkeqësisht, e mira nuk ka shumë mbështetës.
Por ti mos u dëshpëro, sepse dëshpërimin ta urojnë ata që dalin në anën e kundërt të mirësisë.
Ata që nuk e duan të bukurën. Ata që nuk durojnë dritën.
E mira është për ata që dinë ta shohin.
Por shumicën e verbëron.
Dhe smira është verbëria më e madhe e kësaj bote.
Kush do të të mbrojë?
Të drejtin duhet ta mbrojnë të drejtët, por fatkeqësisht, kjo botë është në duart e të padrejtëve.
Ti, lufto me mullinjtë e erës!
Vrapo përmes kujtimeve, pa i dëgjuar mallkimet, pa u ndalur te bekimet.
Ti e di kush je! Mos ia var veshin karvanit mbrapa!
Ec.
Por kujdes!
Milingonat mos i shkel!
Edhe ato kanë një jetë. Një jetë të bukur.
Dhe një tjetër që e urren bukurinë e tyre.
29.03.2025