Dodik viziton Izraelin për konferencën kundër antisemitizmit, reagime për kalimin e kufirit dyshime për ikje.
Një delegacion i kryesuar nga presidenti i entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, ka zbarkuar në aeroportin Ben Gurion në Tel-Aviv të Izraelit, në kuadër të një vizite që lidhet me një konferencë kundër antisemitizmit, e cila do të mbahet më 26 dhe 27 mars në Jerusalem. Avioni i Qeverisë së Republikës Srpska është nisur nga Banjalluka, ka ndaluar në Beograd dhe më pas ka fluturuar drejt Izraelit.
Largimi i Dodikut nga Bosnjë-Hercegovina ka shkaktuar reagime nga Policia Kufitare e këtij shteti, pasi me urdhër të drejtorit Mirko Kupresakoviq, është nisur një hetim për mënyrën se si ai ka kaluar kufirin shtetëror. Ky institucion ka theksuar se do të marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e sigurisë.
Në një postim në platformën X, Dodik ka theksuar lidhjet midis serbëve dhe hebrenjve, duke theksuar se të dy popujt janë përballur me përpjekje për t’u shuar dhe për këtë arsye kuptojnë njëri-tjetrin. Ai gjithashtu ka theksuar se Republika Srpska do të mbrojë të drejtën e saj për ekzistencë dhe trashëgiminë e të parëve.
