Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Dialog në Serbi anulon subvencionet për fermerët shqiptarë në Luginën e Preshevës (Dokument)
Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Dialog në Serbi ka marrë vendim për të anuluar subvencionet e ndara për fermerët shqiptarë të Luginës së Preshevës. Këto subvencione, të financuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kishin për qëllim mbështetjen e zhvillimit bujqësor në këtë rajon.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkël Rexhepi, i cili ka dënuar këtë vendim, duke e cilësuar si një akt të pastër diskriminimi ndaj shqiptarëve të Luginës. “Ky është një tjetër sulm ndaj përpjekjeve tona për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë. Në vend që të mbështesin zhvillimin, institucionet serbe po bllokojnë çdo mundësi për progres,” ka deklaruar ai.
Sipas tij, komunat e Preshevës dhe Bujanocit mbeten ndër më të varfërat në Serbi, ndërsa shteti jo vetëm që nuk investon në to, por edhe pengon mbështetjen e ardhur nga Kosova.
Në lidhje me këtë çështje, KKSH ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Administrative të Serbisë, me shpresën që vendimi do të shfuqizohet dhe fermerët shqiptarë të përfitojnë nga fondet e planifikuara.
“Nëse në Serbi ka qoftë edhe pak drejtësi, ky vendim duhet të kthehet dhe fermerët tanë të përfitojnë nga kjo shumë,” ka përfunduar Enkël Rexhepi.
Lufta për të drejtat e shqiptarëve të Luginës vazhdon, ndërsa pritet një përgjigje nga gjykata për këtë çështje.


