Katër shtete evropiane mbështesin planin e Egjiptit për rindërtimin e Gazës
Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për planin e Egjiptit për rindërtimin e Gazës, i cili kap vlerën e 53 miliardë dollarëve dhe synon të shmangë zhvendosjen e palestinezëve nga enklava, raporton Reuters.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat thanë se plani egjiptian ofron “një rrugë realiste drejt rindërtimit të Gazës” dhe premton përmirësim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të kushteve të jetesës për palestinezët.
Propozimi, i mbështetur nga liderët arabë të martën, parasheh krijimin e një komiteti administrativ të teknokratëve palestinezë të pavarur, që do të qeverisin Gazën pas përfundimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Ky komitet do të mbikëqyrë ndihmën humanitare dhe menaxhimin e punëve të Rripit nën mbikëqyrjen e Autoritetit Palestinez.
Ndërkohë, Izraeli dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë kundërshtuar këtë plan, me Trumpin që ka propozuar vizionin e tij për ta kthyer Gazën në një “rivierë të Lindjes së Mesme”.
Shtetet evropiane shprehën përkushtimin për të bashkëpunuar me iniciativën arabe dhe vlerësuan “sinjalin e rëndësishëm” që vendet arabe kanë dhënë përmes këtij propozimi.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se Hamasi “nuk duhet të qeverisë me Gazën dhe as të jetë kërcënim për Izraelin”.
Lajmin e ka transmetuar Koha, ndërsa e përcjell A1 Info.