7 Marsi — Dita e Mësuesit “Mësuesit e Preshevës — Rojet e Dijes dhe Dinjitetit Kombëtar”
Sot nuk është thjesht një ditë feste, është një ditë kujtese dhe nderimi. Sot kujtojmë dhe përulemi me respekt para mësuesve tanë, veçanërisht atyre të viteve të ’90-ta — kohë kur gjithçka rreth nesh po shkatërrohej, por ata qëndruan si shtylla të pathyeshme të dijes dhe shpirtit kombëtar.
Në ato vite të vështira, kur tekstet shkollore ishin të pakta e të ndaluara, profesorët tanë na mësuan Naim Frashërin, Andon Zako Çajupin, Asdrenin, Skënderbeun — jo vetëm si mësime letërsie apo historie, por si leksione që na forconin identitetin dhe dinjitetin tonë. Ata nuk u ndalën as kur pagat e tyre, shpesh simbolike — siç kujtoj rastet kur punonin me muaj për 2 marka në ditë, e të nesërmen ato marka s’vlenin asgjë — u zhdukën bashkë me çdo siguri materiale. Sepse për ta, mësimi nuk ishte një profesion, por një mision.
Ishin mësues dhe njëkohësisht pjesë e rezistencës kundër një regjimi që synonte të na linte në errësirë. Mbaj mend protestat e Preshevës në vitin 1990, kur arsimtari Mustafa u burgos për ditë të tëra — jo sepse kishte bërë krim, por sepse kishte guxuar të ndriçonte mendjet e brezave të rinj. Dhe as atëherë nuk u thye, as ai dhe as kolegët e tij.
Në Kosovë, kjo betejë ishte edhe më e ashpër. Shkollat u helmuan, objektet u uzurpuan, por mësuesit vazhduan të japin mësim në shtëpi, bodrume e në çdo skaj, duke dëshmuar se drita e dijes nuk shuhet lehtë.
Sot, këta mësues janë pjesë e historisë sonë kombëtare. Ata që janë mes nesh meritojnë përkuljen tonë, dhe ata që nuk jetojnë më, meritojnë kujtesën tonë të përjetshme. Mendoj se çdo shkollë në Preshevë dhe më gjerë duhet të krijojë një arkiv nderi, ku të ruhen fotografitë dhe emrat e arsimtarëve të viteve 1989–2000 — që brezat e ardhshëm të dinë se mbi çfarë sakrificash është ndërtuar e ardhmja jonë.
Urime Dita e Mësuesit!
Faleminderit ju që sakrifikuat, që na mësuat jo vetëm shkronjat, por edhe si të qëndrojmë të fortë, të palëkundur dhe krenarë. Ju ishit dhe mbeteni drita jonë!
Redaksia