Zelensky pas takimit me Trump: Ukraina e gatshme për paqe dhe marrëveshje mbi mineralet
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur keqardhje për mënyrën se si shkoi takimi i tij me homologun amerikan, Donald Trump, javën e kaluar, duke e cilësuar atë si “një rast të humbur” për të forcuar mbështetjen mes dy vendeve.
Në një postim në rrjetin social X të martën, Zelensky ka theksuar se Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe është gati të rifillojë bisedimet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Lidhur me marrëveshjen për mineralet dhe sigurinë, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë atë në çdo kohë dhe në çdo format të përshtatshëm. Ne e shohim këtë si një hap drejt sigurisë më të madhe dhe garancive solide,” deklaroi ai.
Presidenti ukrainas ka theksuar mirënjohjen për ndihmën amerikane në mbrojtjen e sovranitetit dhe pavarësisë së vendit të tij, ndërsa shtoi se Kievi dëshiron të ecë përpara me hapa konkretë drejt përfundimit të konfliktit me Rusinë.
Zelensky propozoi që faza e parë e përfundimit të luftës të përfshijë:
• Lirimin e të burgosurve;
• Armëpushim në qiell — ndalim të raketave, dronëve dhe sulmeve ndaj infrastrukturës civile;
• Armëpushim në det, me kusht që edhe Rusia të bëjë të njëjtën gjë.
Sipas tij, këto hapa fillestarë do të hapnin rrugën për fazat e tjera të paqes dhe për arritjen e një marrëveshjeje të fortë përfundimtare me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Këto deklarata vijnë në një moment delikat, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, disa ditë pas takimit, ka urdhëruar një pauzë në mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duke shtuar pasigurinë rreth të ardhmes së ndihmës amerikane për Kievin.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihet nëse këto propozime të Zelenskyt do të marrin përgjigje nga Moska dhe Uashingtoni.
A1 Info.