Kremlini e përshëndet ndaljen e mbështetjes ushtarake të SHBA-së për Ukrainën: “Një hap drejt paqes”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se ndalja e mbështetjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën është një “lajm i mirë” dhe mund ta shtyjë Kievin drejt procesit të paqes.
“Sigurisht, ne ende duhet t’i kontrollojmë detajet, por nëse është e vërtetë, atëherë ky është një vendim që me të vërtetë mund ta shtyjë regjimin e Kievit drejt një procesi të paqes. Nëse Shtetet e Bashkuara i ndalojnë këto furnizime, ky ndoshta do të jetë kontributi më i mirë për kauzën e paqes”, ka thënë Peskov të martën.
Nga ana tjetër, disa vende evropiane kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë vendim, duke paralajmëruar se ndalja e furnizimit me armatim mund të dobësojë mbrojtjen e Ukrainës përballë agresionit rus.
Ndalja e ndihmës ushtarake nga SHBA-ja ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e luftës dhe hapat e ardhshëm të Ukrainës, ndërsa Kremlini e sheh këtë si një mundësi për të rifilluar negociatat e paqes.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa reagimet ndërkombëtare po vijnë njëra pas tjetrës.