Zelensky: Ukraina kërkon paqe sa më shpejt, diplomacia është thelbësore
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për paqe sa më të shpejtë me Rusinë, duke theksuar rëndësinë e diplomacisë për t’i dhënë fund luftës.
Në një postim në rrjetin social X, Zelensky ka nënvizuar se Ukraina po punon ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë për të arritur një marrëveshje paqeje.
“Ne kemi nevojë për paqe të vërtetë dhe ukrainasit e duan më së shumti, sepse lufta po shkatërron qytetet dhe qytezat tona. Po humbasim njerëzit tanë. Duhet ta ndalojmë luftën dhe të garantojmë sigurinë,” ka shkruar ai.
Presidenti ukrainas ka shtuar se aktualisht po punohet për të ruajtur pozicionet dhe për të krijuar kushtet për një zgjidhje diplomatike që do t’i jepte fund sa më shpejt kësaj lufte, por me një paqe të drejtë.
Zelensky gjithashtu ka tërhequr vëmendjen ndaj rëndësisë së garancive të sigurisë për Ukrainën, duke theksuar se “mungesa e garancive 11 vjet më parë i dha mundësinë Rusisë të pushtonte Krimenë dhe të niste luftën në Donbas. Më pas, e njëjta gjë i mundësoi Rusisë të kryente pushtimin në shkallë të gjerë.”
Ai ka bërë thirrje që bota të mos lejojë më që paqartësitë rreth sigurisë ta ushqejnë këtë luftë dhe se mbështetja e SHBA-së dhe Evropës është kyçe për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.
“Paqja është e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur” — ka përfunduar Zelensky mesazhin e tij.