PATRIOTIZMI FOLKLORIK, REFERENDUMI 1 dhe 2 MARSIT, DHE EPSHI PËR PUSHTET NËN ADMINISTRIMIN SERB
Sot bëhen 33 vite nga mbajtja e referendumit për bashkëngjitje territoriale me Republikën e Kosovës. Asnjë parti politike nuk ka organizuar ndonjë manifestim apo veprim për të rikthyer në vëmendje këtë vullnet popullor, duke treguar një distancim të qartë nga ideali kombëtar.
Spektri politik shqiptar, në çdo fushatë parazgjedhore apo emision debatues në Kosovë, Shqipëri e më gjerë, shfrytëzon referendumin e vitit 1992 si mjet propagande, jo për zgjidhjen e çështjes së Luginës, por për të kapur pushtetin nën administrimin serb dhe për të mbushur xhepat e klaneve partiake dhe farefisnore.
Dështimi i politikës shqiptare është i dukshëm. Gjatë luftës së UÇPMB-së, nuk u thirrën kurrë në referendumin e vitit 1992 si bazë legjitime për kryengritjen. As në vitin 2001, kur Kosova ende s’ishte shpallur e pavarur dhe njihej si pjesë krahinore e Serbisë sipas Rezolutës 1244, politikanët shqiptarë nuk e shfrytëzuan këtë si mundësi për të mbështetur bashkëngjitjen me Kosovën. Në vend që të kërkonin bashkëngjitjen me Gjilanin dhe Podujevën si një zgjidhje pragmatike, ata zgjodhën deklaratat boshe, duke u përpjekur të duken patriotë vetëm me fjalë, por jo me vepra.
Edhe më shqetësues është fakti se kurrë nuk u krijua një sistem paralel për të bojkotuar institucionet serbe. Përkundrazi, ndjenjat kombëtare u manipuluan për të arritur pushtetin lokal. Këta politikanë kanë prodhuar mbi 100 rezoluta boshe, kanë kërcënuar me dorëheqje për lapidarin e dëshmorëve, por nuk realizuan asgjë.
Kjo papërgjegjësi e ka bërë pushtetin qendror serb të kuptojë se për këta politikanë pushteti personal është më i rëndësishëm se ideali kombëtar. Në emër të patriotizmit folklorik, disa kanë grumbulluar pasuri të majme duke zhvatur buxhetin e qytetarëve të Preshevës. Për Serbinë, kjo është e favorshme — shqiptarët e korruptuar zhvaten shqiptarët, ndërsa pushteti qendror qëndron spektator.
Koha për të heshtur ka mbaruar. Duhet një lëvizje e pastër, që del mbi interesat partiake dhe rikthen dinjitetin politik dhe kombëtar të shqiptarëve të Luginës.
Veprimi nuk pret më. Është koha tani, ose kurrë.

