Si mund të bëheni viktimë e mashtrimeve nga tregtarët e patundshmërisë
Shumë bashkatdhetarë, kur kthehen në vendlindje, në Preshevë apo Bujanoc, shpesh shfaqin interes për të ndërtuar një shtëpi. Fatkeqësisht, për shkak të mungesës së informacionit nga institucionet komunale apo sektorët përkatës, disa prej tyre bien pre e mashtrimeve nga tregtarë të patundshmërisë.
Një nga mashtrimet më të shpeshta ndodh kur një tokë u shitet si “truall ndërtimor”, por blerësit më vonë kuptojnë se kanë blerë tokë bujqësore, në të cilën, sipas ligjit, nuk lejohet ndërtimi.
Prandaj, para se të blini një truall për ndërtim, është thelbësore të verifikoni këto kushte:
1. Qasja në rrugë
• Kontrolloni nëse trualli ka rrugë të qasshme dhe të regjistruar zyrtarisht.
2. Ndërrimi i kulturës së tokës
• Sigurohuni që toka është ndërruar nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore.
• Ky proces bëhet përmes komunës dhe ka një tarifë të caktuar sipas zonës dhe m².
3. Rrjeti elektrik i legalizuar
• Sigurohuni që rrjeti elektrik është i legalizuar.
• Nëse shtylla elektrike e legalizuar ndodhet më shumë se 70 metra larg nga trualli, duhet të legalizoni rrjetin, duke ndjekur këto hapa:
• 3.1 Hartimi i projektit për rrjetin elektrik.
• 3.2 Angazhimi i një inxhinieri për udhëheqjen e dokumentacionit.
• 3.3 Nëse ka disa pronarë të përfshirë, duhet të siguroni pëlqimin e tyre për vendosjen e shtyllave dhe legalizimin e rrjetit.
• 3.4 Ndërrimi i kulturës së tokës nga bujqësore në ndërtimore.
• 3.5 Aplikimi për leje ndërtimi.
• 3.6 Lajmërimi zyrtar i fillimit të punimeve.
• 3.7 Investimi për vendosjen e shtyllave duhet të bëhet nga vetë pronari, pasi komuna apo distribucioni nuk mbulon këto shpenzime.
• 3.8 Formimi i komisionit për pranimin teknik.
• 3.9 Inçizimi (regjistrimi) i shtyllave në sistemin zyrtar.
4. Kanalizimi
• Duhet të verifikoni nëse trualli ka qasje në rrjetin e kanalizimit.
• Nëse jo, ndërtimi i kanalizimit do të jetë përgjegjësi dhe shpenzim i juaji, duke respektuar rregullat ligjore.
5. Zonimi urbanistik
• Nëse trualli ndodhet jashtë qytetit, kontrolloni nëse është brenda zonës së urbanizuar dhe të destinuar për ndërtim.
• Nëse toka është një arë, por brenda zonës së urbanizuar, duhet të bëhet parcelizimi i tokës dhe të krijohet rruga e veçantë për qasje.
Këshillë:
Përpara se të blini tokë, rekomandohet që të verifikoni të gjitha këto informacione pranë komunës, veçanërisht në Drejtorinë e Urbanizmit. Nëse hasni në mungesë vullneti për t’ju informuar, këmbëngulni për të marrë të dhënat zyrtare me shkrim.
Vërejtje:
Ky informacion ofrohet me qëllim që t’ju ndihmojmë të shmangni mashtrimet. Nuk mbajmë përgjegjësi për saktësinë juridike të këtyre hapave, pasi ato janë bazuar në informata të mbledhura nga punonjës të ndryshëm të institucioneve përkatëse.
Redaksia: