Serbia voton për rezolutën evropiane mbi Ukrainën, Vuçiqi kërkon falje
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën një rezolutë që rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën dhe integritetin e saj territorial, në trevjetorin e pushtimit rus.
Gjatë seancës, u prezantuan dy rezoluta: një e propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një tjetër nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë. Serbia abstenoi në votimin për rezolutën amerikane, ndërsa e përkrahu atë evropiane.
Pas votimit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kërkoi falje publike, duke e quajtur një gabim mbështetjen e rezolutës evropiane dhe duke thënë se Serbia do të duhej të kishte abstenuar edhe në këtë rast.
“Mendoj se Serbia ka gabuar. U kërkoj falje qytetarëve dhe marr përgjegjësinë vet, sepse jam i lodhur dhe i ngarkuar. Nuk mund të merrem me gjithçka,” deklaroi Vuçiqi për televizionin “Happy”, siç raportoi N1.
Ai shtoi se, edhe pse e kupton që ky qëndrim mund të dëmtojë pozicionin e Serbisë në Bashkimin Evropian, beson se abstenimi do të kishte qenë më i përshtatshëm.
Në votimin për rezolutën e propozuar nga Ukraina dhe aleatët e saj, 93 vende votuan pro, 18 kundër — përfshirë SHBA-në dhe Rusinë — dhe 65 abstenuan.
Ndërkohë, rezoluta e propozuar nga SHBA-ja, që kërkonte përfundimin e luftës pa përmendur agresionin rus apo integritetin territorial të Ukrainës, nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme.
Vuçiqi përfundoi duke thënë se Serbia është përballur me sfida të mëdha gjatë tre viteve të luftës në Ukrainë, veçanërisht për shkak të refuzimit të saj për t’i vendosur sanksione Rusisë, dhe se qëndrimi i vendit të tij nuk ndryshon për shkak të një, dy apo tri rezolutave.
Burimi: koha. Net
Foto: Associated Press