Dorëzohet kërkesa për shfuqizimin e vendimit për ndërtimin e gurëthyesit në Tërrnavë
Preshevë, 24 shkurt 2025 – Bashkësia Lokale e fshatit Tërrnavë ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë drejtuar Kuvendit Komunal të Preshevës për shfuqizimin e vendimit të miratuar më 19 shkurt 2025, që lejon ndërtimin e një gurëthyesi në malet e këtij fshati.
Banorët e Tërrnavës dhe Bashkësia Lokale kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me ndikimet e mundshme negative të këtij projekti në mjedis dhe në cilësinë e jetës së komunitetit lokal. Ata kërkojnë që autoritetet komunale të rishqyrtojnë vendimin dhe të marrin parasysh pasojat e mundshme që mund të sjellë ndërtimi i gurëthyesit në zonën e tyre.
Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, shumica e përbërë nga PVD, PDSH dhe AL votuan pro ndërtimit të gurëthyesit, vendim që u prit me reagime të ashpra nga banorët dhe Bashkësia Lokale e Tërrnavës. Ata theksojnë se ky projekt mund të dëmtojë mjedisin dhe të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit.
Bashkësia Lokale e Tërrnavës bën thirrje për një dialog të hapur dhe transparent me autoritetet komunale, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje që mbron interesat e banorëve dhe mjedisin e fshatit.