NJËRI NGA FAKTORËT KRYESOR I MIGRIMIT
Korrupsioni dhe njerëzit e shitur të pushtetit kanë luajtur një rol kyç në dëbimin e rinisë drejt shteteve europiane.
Është e dhimbshme por e vërtetë: rinia preshevare, ndonëse shpeshherë e kualifikuar dhe e aftë, nuk ka pasur mundësi të sistemohet në vendin e vet. Të detyruar nga mungesa e alternativave, shumë prej tyre kanë përfunduar duke punuar si kamerierë, mjeshtër, punëtorë ndërtimi apo në fabrikat e pakta që ende ekzistojnë.
Por kjo nuk është e tëra. Ajo që i ka shtyrë edhe më shumë drejt largimit ka qenë keqtrajtimi brutal në vendet e tyre të punës. Shefat, të cilët shpesh thirren në humanizëm dhe patriotizëm kombëtar, kanë parë punëtorët e tyre jo si bashkëqytetarë e vëllezër, por si skllevër modernë. Ata kanë punuar 9 orë efektive në ditë, 6 ditë në javë — pra 54 orë në javë — dhe shpeshherë edhe të dielave, duke arritur në mbi 60 orë pune javore për vetëm 15 euro në ditë.
Këtyre të rinjve nuk u janë paguar sigurimet shoqërore, as stazhi dhe as fondi pensional. Nuk kanë pasur të drejtë për dy ditë pushim në javë, siç e kërkojnë ligjet vendore dhe ndërkombëtare, dhe as për pushim me pagesë pas 6 muajsh punë. Përkundrazi, janë shfrytëzuar deri në palcë, pa mëshirë dhe pa ndonjë shpresë për të nesërmen.
Absurdja
Ironia më therëse qëndron në hipokrizinë e atyre që udhëheqin. Të njëjtët shefa që nuk janë të gatshëm të hapin kuletën për të siguruar të drejtat themelore të punëtorëve, krenohen me veprat e atyre që kanë dhënë jetën për kombin. Është lehtë të flasësh për sakrificë, por shumë më e vështirë të japësh një minimum dinjiteti për ruajtjen e substancës kombëtare.
Nga mizoria e tyre, shefat kanë krijuar një jetë ekstra luksoze, me shtëpi madhështore dhe makina të shtrenjta. Po ashtu, edhe organet mbikëqyrëse të dirigjuara nga politika kanë siguruar pasuri marramendëse, duke grabitur gjithçka nga rinia për të pasuruar veten.
Si pasojë e kësaj, sot rrugët e Preshevës boshatisen dita-ditës, duke lënë pas vetëm heshtjen dhe zhgënjimin.
Për më tepër, ky abuzim është lehtësuar nga organet mbikëqyrëse dhe inspektorët, të cilët në vend që të mbronin ligjin dhe punëtorin, kanë mbyllur sytë dhe veshët për një “rollovane” apo një bakshish të rëndomtë.
Prandaj, kjo nuk është thjesht një histori e papunësisë — është një zinxhir i rëndë i korrupsionit, abuzimit dhe hipokrizisë që ka kontribuar në dëbimin masiv të rinisë tonë. Për këtë nuk mund të shpëtojë pa përgjegjësi pushteti lokal me administratën e tij, dhe as ai qendror. Sepse ikja nuk ndodh nga dëshira, por nga dëshpërimi.
Redaksia.