KALENDARI HISTORIKO-LETRAR
Më 10 shkurt 1938 – Lindi në Rugovë të Pejës, Azem Shkreli, një poet i madh e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Me krijimtari letrare u shfaq në vitet ’50 dhe me poezinë e tij vendosi kulme poetike në letërsinë shqipe. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë“, botuar më 1997.
Azem Shkreli, vdiq në vitin 1997
A1info