SHTYHET AFATI PËR REGJISTRIM TË KARTELAVE TELEFONIKE DERI MË 10 PRILL
Afati për përdorimin e numrave me parapagesë pa regjistrim është shtyrë deri më 10 prill, njoftoi sot Ministria e Informacionit dhe Telekomunikacionit.
Afati i shpallur paraprakisht për regjistrimin e kartave me parapagesë, 10 shkurt, është shtyrë me ndryshimin e Rregullores për kushtet teknike për regjistrimin e shërbimeve me parapagesë, e cila mundësoi vazhdimin e përdorimit të numrave me parapagesë deri më 10 prill, njofton B92, përcjell a1info.
Sipas njoftimit për shtyp, ndryshimi u miratua për t’u dhënë përdoruesve ekzistues kohë shtesë për t’u regjistruar përpara pezullimit të trafikut.
Pas kësaj, dhe jo më vonë se data 25 maj 2025, përdoruesit e paregjistruar do të pajisen me sasinë e trafikut të nevojshëm vetëm për regjistrimin e numrave dhe thirrjet në shërbimet e urgjencës.
Nga data 10 shkurt, të gjithë përdoruesit e rinj me parapagesë do të regjistrohen fizikisht, në degët e operatorit, me dokument identifikimi ose online, duke përdorur skemën e identifikimit elektronik të nivelit bazë të besueshmërisë.
Njoftimi rikujton gjithashtu se regjistrimi i detyrueshëm është futur me Ligjin për Komunikimet Elektronike, i miratuar në vitin 2023, sipas shembullit të shumicës së vendeve të BE-së dhe botës. Sipas hulumtimit të kryer në 20 vende evropiane, 14 vende kanë vendosur tashmë regjistrimin e detyrueshëm të numrave me parapagesë.
Gjithashtu, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Global System for Mobile Communications (GSMA), në fund të vitit 2020, regjistrimi i detyrueshëm i numrave me parapagesë është futur tashmë në rreth 150 vende të botës me qëllim parandalimin e terrorizmit dhe aktiviteteve të tjera kriminale përmes përdorimit anonim të kartave SIM me parapagesë. Duke filluar nga gushti i vitit 2024, ministria përkatëse në vazhdimësi ka informuar publikun e interesuar lidhur me afatet për regjistrimin e detyrueshëm të numrave paradhënie të përcaktuara me Ligjin për Komunikimet Elektronike, thuhet në njoftim.