KRYETARI I APN-SË, VISAR MEHMETI KRITIKON KRYETAREN E KOMUNËS, ARDITA SINANIN !
Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Visar Mehmeti, ka kritikuar kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinanin, lidhur me manipulimet që sipas tij po ua bën bujqëve të Preshevës, e që gjatë fushatës u kishte premtuar shuma shumë të larta prej 10 mijë deri në 15 mijë euro.
Mehmeti, po ashtu vuri në pah heqjen e taksës së bujqëve në tregun e gjelbërt, shuma këto shumë simbolike, e sipas tij, ky është një manipulim i pastër.
Kryetari i APN-së në faqen e tij në facebook shkruan:
“VAZHDON MANIPULIMI I BUJQËVE LOKAL NGA KRYETARJA E KOMUNËS!!!
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal, kryetarja jonë qenka krenuar me “mbështetjen” e bujqëve lokal, përmes lirimit nga taksa për shitjen e produkteve të tyre.
Megjithatë, kjo nuk është asgjë tjetër veçse një manipulim i pastër nga ana e saj, duke e quajtur “mbështetje të vazhdueshme” heqjen e një takse që bujqit vendorë e paguajnë vetëm një herë në javë – ditën e tregut, edhe atë gjatë sezonit kur ata plasojnë në treg produktet e tyre, që do të thotë që kjo heqje taske prekë vetëm një pjesë të tyre.
Me këtë mashtrim, kryetarja po përpiqet të mbulojë premtimet boshe të dhëna gjatë fushatës elektorale, kur në këmbim të votës, këtyre bujqëve u kishte premtuar ndihma financiare në shuma marramendëse nga 10 deri në 15 mijë euro. Tani, në vend të mbështetjes reale dhe konkrete, ajo po e zëvendëson këtë premtim me lirimin nga një taksë prej vetëm 200-300 dinarësh, që këta bujq e paguajnë ditën e tregut.
Ky manipulim nga ana e kryetarës së Komunês, nuk sjell asnjë përmirësim të ndjeshëm në zhvillimin e këtyre bujqve lokal, të cilët vazhdojnë të përballen me sfida të shumta, ku në vend që të mbështeten me subvencione dhe projekte afatgjata, ata po manipolohen me veprime qesharake nga ky pushtet lokal pa vizion dhe strategji të qartë për zhvillimin e bujqësisë lokale”
A1info