KOSOVA ENDE PA SHTYPIN DITOR !
Kosova është i vetmi rajon në Ballkan e në Evropë që nuk e ka shtypin ditor. Për mos shtypjen e gazetave ka ndikuar edhe mungesa financiare e shtypit të tyre, neglizhenca e Ministrisë përkatëse, e cila është dashur që së paku Kosova ta ketë një gazetë ditore, ku financuese e saj të jetë shteti, pse jo Rilindja, e cila ka qenë e para gazetë e shtypur në Kosovë,që u ndalua nga pushteti i atëhershëm serb, në vitin 1990.
Po ashtu duhet urgjentisht Ministria e Kulturës dhe e Informimit, përveç një gazete ditore me një tirazh që e mbulon tërësisht lexueshmërinë e Kosovës, t’u ndajë mjete për botim edhe gazetave të tjera private, në mënyrë që ato ta ushtrojnë me sukses gezetarinë, sepse konkurrenca jep rezultate të kënaqshme në fushën e gazetarisë.
Shtrohet pyetja. Vallë ndoshta Portalet e kanë zëvendësuar kopjen fizike të gazetave?!
Secili shtet në rajon, përveç që kanë një numër të konsiderueshëm të gazetave të shtypura, ato njëherazi i kanë edhe portalet, prandaj, kopja fizike e gazetës e mbush boshllëkun e krijuar ,sepse çdo gjë e shtypur ruhet.
Në vitin 2009, vetëm një vit pas shpalljes se pavarësisë, në Kosovë janë botuar tetë gazeta ditore, të gjitha në gjuhën shqipe. Në një hulumtim të Institutit të Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim Politikash (KIPRED), realizuar në vitin 2010, thuhet se tetë gazetat ditor (“Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Express”, “Epoka e Re”, “Bota Sot”, “Info Press”, “Zëri” dhe “Lajm”), kanë pasur kanë tirazh mes 25.000 dhe 35.000 kopje. Ky numër në atë kohë ishte vlerësuar tejet i ulët në krahasim me popullsinë e përgjithshme (2.1 milion banorë). Në atë kohë, tre në pesë njerëz lexonin një gazetë ditore.
Kujtesë
Ju përkujtojmë se gazeta e parë shqipe në Kosovë ishte “Rilindja”, që fillimisht ishte gazetë e përjavshme. Kurse nga viti 1958 kjo gazetë ishte e përditshme, ku tirazhi maksimal ka arritur në mbi 200 mijë ekzemplarë. Në vitin 1990 botimi i saj u ndalua nga pushteti i atëhershëm serb, për të rinisur përsëri në vitin 1999, pas hyrjes se forcave të NATO-s në Kosovë. Gazeta “Rilindja” u mbyll në vitin 2002, pas largimit nga Pallati i Rilindjes. Pra, jo vetëm pushteti i atëhershën serb e mbylli, por edhe pas luftës e njëjta gazetë gjigante, Rilindja, në vitin 2002 u largua nga pallati i shtypit. Në vend që t’i ndihmohet, ajo u mbyll. Këtu shihet qartë qasja e atëhershme dhe e sotme e shtetit ndaj gazetave dhe gazetarëve.
Mbyllja e formës së shtypur të gazetave
Për mbylljen e formës së shtypur të atyre pak gazetave që kishin ngelur ende, Pandemia i dha një goditje përfundimtare të botimit të tyre, për shkak se kostoja e botimit të gazetave ishte e pambulueshme në njërën anë, dhe anën tjetër tirazhet jo të mëdha të këtyre gazetave, shuma e vogël e mjeteve financiare të gjeneruar nga shitja, janë arsyet kryesore e mbylljes, dhe mos ndihma e Ministrisë me mjete materiale, apo me projekte të caktuara.
A1info (redaksia)