9 KORRIKU 1990 – DITA KUR ADMINISTRATA E KUVENDIT TË KOSOVËS U DËBUA NGA PUNA
(Dëshmi personale mbi fillimin e spastrimit administrativ dhe serbizimit të institucioneve të Kosovës)
Shkruan: Nehat Hyseni
Në historinë politike dhe institucionale të Kosovës, 9 korriku 1990 shënon fillimin praktik të shkatërrimit të administratës shqiptare të institucioneve autonome. Nëse 5 korriku ishte dita e suprimimit institucional të Kuvendit të Kosovës dhe e vendosjes së administrimit të dhunshëm nga Serbia, atëherë 9 korriku ishte dita kur ky akt mori formën e tij konkrete dhe të prekshme për çdo punonjës të administratës.
Ishte e hëna e parë pas ngjarjeve dramatike të javës së kaluar. Si çdo të hënë tjetër, u nisëm drejt vendeve tona të punës me bindjen se, pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme, administrata do të vazhdonte funksionimin e saj. Askush nuk mund ta paramendonte se para hyrjes së ndërtesës do të na priste një realitet krejtësisht tjetër.
Godina e Kuvendit të Kosovës
u pushtua nga Serbia
Godina e Kuvendit të Kosovës ishte shndërruar në një objekt të pushtuar. Përreth saj qëndronin forca të shumta të policisë serbe, të armatosura rëndë. Hyrjet ishin bllokuar plotësisht. Punonjësit legjitimoheshin një nga një, ndërsa shumicës absolute nuk u lejohej të hynte në objektin ku kishte punuar për vite me radhë.
Për herë të parë ndjemë fizikisht se institucioni ynë ku punonim nuk ishte më vendi ynë i punës. Ai ishte marrë me forcë nga pushteti serb.
Pamja ishte tronditëse. Kolegë me përvojë shumëvjeçare, juristë, ekonomistë, përkthyes, daktilografë, administrativë dhe shërbyes të Kuvendit qëndronin të heshtur para dyerve të mbyllura. Askush nuk dinte çfarë po ndodhte. Nuk kishte vendime të shkruara, nuk kishte shpjegime ligjore, nuk kishte procedurë administrative. Kishte vetëm urdhër të policisë.
Në atë çast u bë e qartë se shteti ligjor
definitivisht kishte pushuar së ekzistuari në Kosovë.
Pushimi vjetor i detyrueshëm
Pak më vonë na komunikuan se të gjithë punonjësit shqiptarë dërgoheshin në të ashtuquajturin “pushim vjetor të detyrueshëm”. Ky vendim ishte krejtësisht arbitrar dhe i paligjshëm!
Në administratën e Kuvendit ekzistonte një praktikë shumëvjeçare sipas së cilës pushimet kolektive organizoheshin gjatë muajit gusht. Kjo bëhej për shkak të ndërprerjes së punimeve të Kuvendit dhe ritmit normal të institucioneve. Mirëpo, në korrik 1990 kjo praktikë u shkel me qëllim.
Në të vërtetë nuk bëhej fjalë për pushim.
Bëhej fjalë për largim të përkohshëm nga puna, për të krijuar kohën e nevojshme që pushteti serb të riorganizonte administratën sipas kritereve politike dhe kombëtare serbe.
Ky ishte fillimi i spastrimit etnik administrativ
Gjatë javëve të pushimit të imponuar zhvilloheshin procese që neve na mbaheshin të fshehta. Hartoheshin lista të reja, përgatiteshin vendime të reja dhe krijohej administrata e kontrolluar nga regjimi i Beogradit.
Në fund të muajit gusht u paraqitëm sërish në vendin e punës, duke shpresuar se situata do të ishte normalizuar.
Por realiteti ishte edhe më i rëndë.
Na njoftuan se nuk kishte më vend pune për të gjithë. Ishte hartuar një listë e re sipas së cilës nga secila njësi organizative do të lejohej të punonte vetëm një punonjës, ndërsa të gjithë të tjerët duhej të qëndronin në shtëpi.
Në pamje të parë kjo dukej si një masë e përkohshme organizative.
Në të vërtetë ishte metoda e parë e spastrimit etnik administrativ.
Qëllimi ishte i qartë: administrata shqiptare të zbrazej gradualisht nga kuadrot profesioniste dhe në vend të tyre të vendoseshin punonjës serbë ose ndonjë shqiptar i gatshëm t’i shërbente politikës së regjimit.
Nga Shërbimi i Përkthimeve u përzgjodha unë për të vazhduar përkohësisht punën.
Megjithatë, pranimi im nuk ishte pa kushte.
Unë e njoftova Bashkësinë Punuese se do të vazhdoja të paraqitesha në punë vetëm nëse do të respektohej vendimi ynë kolektiv, i marrë në kuadër të organizimit sindikal të pavarur të punonjësve.
Kërkova që në fund të çdo dite pune të raportoja para kolektivit në mbledhjet që mbaheshin në ndërtesën e administrates se Ndërmarrjes “Ramiz Sadiku” (përballë hotelit “Bozhur”) dhe që të gjitha vendimet të merreshin së bashku.
Nuk pranoja të bëhesha instrument për “normalizimin” e një gjendjeje të jashtëligjshme.
Dy ditët e para në punë kaluan pa incidente.
Materialet silleshin në tavolinën time për përkthim.
Unë nuk i prekja.
Askush nuk guxonte të më detyronte.
Në zyrë mbretëronte një heshtje e rëndë.
Edhe punonjësit serbë ndienin se situata ishte jashtë normales.
Dita e tretë solli përplasjen
Në hyrje të daktilobyrosë qëndronte vazhdimisht një polic serb i arnatisur me pushkë automatike (kallashnikov).
Ai nuk ishte aty për të ruajtur rendin.
Ai ishte aty për të kontrolluar dhe urdhëruar e kërcnuar administratën.
Në një moment hyri në zyrë dhe, me një ton urdhërues dhe kërcnues më tha se të gjitha materialet që ndodheshin mbi tavolinë duhej të përfundonin patjetër atë ditë dhe se duhej ta filloja menjëherë punën.
Ky nuk ishte më një komunikim administrativ.
Ishte një urdhër policor.
Në atë çast e kuptova se nuk kërkohej më profesionalizmi ynë.
Kërkohej bindja jonë
Në tavolinë ndodheshin dokumente që kishin të bënin me largimin nga detyra të funksionarëve shqiptarë dhe emërimin e kuadrove serbe në vend të tyre.
Me ato dokumente po legalizohej politikisht ajo që policia kishte filluar me forcë.
Ato nuk ishin materiale të zakonshme pune.
Ato ishin dokumente të spastrimit institucional.
Përkthimi im do të nënkuptonte pjesëmarrje, qoftë edhe indirekte, në realizimin e kësaj politike diskriminuese.
Pikërisht për këtë arsye refuzova kategorikisht të punoja.
Atmosfera u tensionua menjëherë!
Me një revoltë që nuk mund ta kontrolloja më, i mora materialet dhe i hodha në dysheme.
Ishte një reagim spontan moral dhe njerëzor ndaj padrejtësisë që po zhvillohej para syve tanë.
Për disa çaste situata u bë jashtëzakonisht e rrezikshme!
Një ndërhyrje e dhunshme e policisë mund të kishte prodhuar pasoja të paparashikueshme.
Megjithatë, unë nuk ndryshova qëndrim.
Nuk pranova të përktheja dokumentet që legjitimonin diskriminimin institucional të popullit tim dhe e lëshova vendin e punës, për të mos u kthyer më kurrë!
Ajo ditë më bindi plotësisht se administrata e Kuvendit të Kosovës nuk po “reformohej”.
Ajo ishte pushtuar dhe po kolonizohej.
Procesi nuk kishte të bënte aspak me “efikasitetin administrativ”.
Serbizimi i institucioneve të Kosovës
Ai kishte vetëm një objektiv politik: serbizimin e plotë të institucioneve të Kosovës.
Në muajt që pasuan, ky proces u zgjerua në të gjitha institucionet publike, në gjyqësor, në arsim, në shëndetësi, në media dhe në ndërmarrjet shoqërore.
Dhjetëra mijëra shqiptarë u larguan nga vendet e tyre të punës.
U shkelën të drejtat më elementare të njeriut.
U shkatërrua sistemi juridik.
U vendos diskriminimi institucional mbi baza etnike.
Mbyllja e kapitullit të fundit të
Autonomise së Kosovës
Sot, pas më shumë se tri dekadash, e kujtoj 9 korrikun 1990 jo vetëm si ditën kur na u mbyll dera e institucionit tonë, por si ditën kur u mbyll realisht edhe kapitulli i fundit i autonomisë së Kosovës.
Që nga ajo ditë filloi një periudhë e gjatë rezistence qytetare, institucionale dhe kombëtare, e cila do të zgjaste pothuajse një dekadë dhe do të përfundonte vetëm me çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
Prandaj, 9 korriku 1990 nuk duhet të mbetet vetëm një datë kalendarike.
Ai duhet të kujtohet si dita kur administrata shqiptare e Kuvendit të Kosovës u përball drejtpërdrejt me politikën e spastrimit institucional dhe etnik nga regjimi i Serbisë, kur shumë punonjës, me dinjitet dhe përgjegjësi morale, refuzuan të bëheshin pjesë e mekanizmit që synonte mbylljen dhe shkatërrimin e institucioneve të Kosovës.
Preshevë, 9 korrik 2026