26 PRILLI DITA BOTËRORE E PRONËSISË INTELEKTUALE
Veprat e autorëve dhe inovatorëve, krijimet e imagjinatës dhe mendja e ndriçuar njerëzore si librat, filmat, televizioni, radioja dhe interneti e kanë bërë jetën tonë më të lehtë. Por, më shumë se kurrë, vëmendja e njerëzimit është drejtuar te inovatorët të cilët, me shpikjet e tyre, mund të ofrojnë një kurë për këtë pandemi globale. Pra, pronësia intelektuale është jetike, vendi ynë ka nevojë për një sistem plotësisht funksional të pronësisë intelektuale, ku autorët dhe inovatorët mbrohen dhe mbështeten për të krijuar dhe shpikur.
Kosova ka vazhduar të ndërmarrë hapa në fushën e pronësisë intelektuale, për të drejtën e autorit, kemi vazhduar me krijimin e politikave të reja dhe zbatimin e tyre. MKRS, Zyra e të Drejtave të Autorit, po zbaton Strategjinë për Forcimin e Sistemit të të Drejtave të Autorit 2019-2023, zbatimi i së cilës do të ndikojë fuqishëm në ndërgjegjësimin dhe edukimin e shoqërisë rreth rëndësisë së të drejtës së autorit dhe zbatimit të këtyre të drejtave në vendin tonë.
Gjithashtu, po bashkëpunojmë ngushtë me Shoqatat Kolektive për Menaxhimin e të Drejtave të Autorit, në mënyrë që këtë vit autorët, interpretuesit dhe producentët të fillojnë të marrin kompensimet e tyre nga menaxhimi kolektiv. I kam kërkuar Zyrës së të Drejtave të Autorit të vazhdojë punën e mirë me Task Forcën Kundër Piraterisë në ndërmarrjen e veprimeve kundër piraterisë.
Të gjitha veprimet e ndërmarra janë një garanci se e drejta e autorit po përparohet në vendin tonë. Ne vazhdojmë të punojmë së bashku, në mënyrë që autorët dhe krijuesit të gëzojnë mbrojtje dhe përfitime ekonomike për veprat e tyre.
A1info