20 TETORI-DITA BOTËRORE E OSTEOPOROZËS
Dita Botërore e Osteoporozës (DBO), shënohet çdo vit më 20 tetor; një fushatë e dedikuar për rritjen e ndërgjegjësimit global për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e saj dhe sëmundjeve muskuloskeletore të lidhura me to. Ajo synon të vendosë shëndetin e kockave dhe parandalimin e frakturave në agjendën globale, të arrijë tek profesionistët e kujdesit shëndetësor, mediat, politikëbërësit, pacientët dhe publiku në përgjithësi.Aktualisht, osteoporoza është pamjaftueshmërisht e diagnostikuar dhe e trajtuar; kostot e mëdha njerëzore dhe socio-ekonomike, dhe ndikimi i rëndë i frakturave në pavarësinë e pacientëve janë të nënvlerësuara. Në mbarë botën, miliona njerëz në rrezik të lartë të thyerjes së kockave (frakturave) mbeten të pavetëdijshëm për sëmundjen e heshtur. Fushata vjetore DBO është një rast unik kur individët dhe organizatat në mbarë botën bashkohen për të vënë në qendër të vëmendjes sëmundjen dhe barrën e saj. Së bashku: shoqëritë e pacientëve, profesionistët e kujdesit shëndetësor, autoritetet mjekësore, politikëbërësit dhe vetë pacientët mund të kontribuojnë në thirrjen për ndryshim.
ÇFARË ËSHTË OSTEOPOROZA?
Osteoporoza fjalë për fjalë do të thotë "kockë poroze". Është një gjendje ku kockat bëhen të holla dhe humbasin fortësinë e tyre, pasi bëhen më pak të dendura dhe cilësia e tyre ulet. Kjo mund të çojë në thyerje të kockave, të cilat shkaktojnë dhimbje dhe paaftësi. Kockat e thyera për shkak të osteoporozës mund të ndryshojnë rrjedhën normale të jetës, cilësinë e saj, të kenë një ndikim serioz në lëvizshmërinë dhe pavarësinë. Osteoporoza quhet shpesh “sëmundja e heshtur”, sepse shumica e njerëzve nuk e dinë se e kanë këtë çrregullim derisa të thyejnë një kockë pas një rënieje ose përplasjeje të vogël (e njohur si frakturë e brishtë).