🔴 Reagon këshilltari i APN-së, Mendurim Presheva: “Shkarkimi i drejtoreshës Sahiti – një akt i pajustifikueshëm dhe i papranueshëm”
Preshevë, 24 Korrik 2025 – Këshilltari i Alternativës për Ndryshim (APN), Mendurim Presheva, ka reaguar ashpër pas shkarkimit të znj. Fitore Sahiti nga pozita e drejtoreshës së Shkollës Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, duke e cilësuar vendimin si të pajustifikuar, të papritur dhe të papranueshëm.
“Ky vendim përbën jo vetëm një padrejtësi ndaj një profesionisteje të përkushtuar, por edhe një precedent të rrezikshëm për mënyrën e administrimit të institucioneve publike në vend,” – thuhet në reagimin e tij.
Sipas këshilltarit të APN-së, znj. Sahiti ka ushtruar funksionin me integritet të lartë profesional, përkushtim dhe vizion të qartë për zhvillimin e institucionit, dhe largimi i saj është shembull i qartë se merita nuk po vlerësohet, ndërsa vendimmarrja po bëhet në mënyrë të errët dhe të paarsyetuar.
“Shkarkimet e tilla arbitrare minojnë besimin në institucionet publike dhe krijojnë një klimë pasigurie tek të gjithë ata që angazhohen ndershmërisht për të mirën publike,” – shton Presheva.
Reagimi vjen pas konfirmimit zyrtar nga Ministria e Arsimit për lirimin nga detyra të znj. Sahiti dhe emërimin e Bardhyl Bajramit si ushtrues detyre në këtë shkollë. Ky zhvillim ka shkaktuar polemika në opinionin publik dhe reagime të shumta politike.