🎼✨ Një mbrëmje plot harmoni në tingujt e gjuhës sonë — Koncerti i Oktetit “Harmonia” shënon Ditën e Alfabetit në Preshevë
Në kuadër të Ditës së Alfabetit, sonte në Amfiteatrin e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë u mbajt një koncert i jashtëzakonshëm nga Okteti “Harmonia”. Formacioni vokal solli para publikut një repertor të pasur me këngë të pastërta shqipe, të interpretuara “a cappella” me profesionalizëm, finesë dhe emocion.

Të pranishmit shijuan çdo moment të performancës: nga harmonia e zërave, te interpretimet e ngrohta që nderuan gjuhën, kulturën dhe alfabetin tonë. Atmosfera festive dhe reagimi i publikut e shndërruan mbrëmjen në një përjetim të paharrueshëm artistik.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të programit kulturor “Nëntor Lugine”, me mbështetje të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, nën monitorimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd, si dhe me mbështetjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.