🕌 “Zemra e Karadakut rreh sërish për Bajram – besimtarët mbushin xhaminë e Caravajkës
Besimtarët myslimanë falën Kurban Bajramin në Karadakun e Preshevës – Xhamia e Caravajkës, simbol i gjallë i qëndresës shpirtërore
Preshevë, 6 qershor 2025 – Në një atmosferë të mbushur me besim dhe përkushtim, besimtarët myslimanë nga treva e Karadakut të Preshevës u mblodhën sot për të falur namazin e Kurban Bajramit në xhaminë historike të fshatit Caravajkë, e cila tashmë është kthyer në simbol të qëndresës shpirtërore dhe kulturore të këtij rajoni.
Edhe pse në Karadakun e Preshevës nuk jeton më asnjë banor – përfshirë fshatrat Caravajkë, Sefer, Lezbali, Zub, Peçen, Nejza dhe Kurbali– në çdo festë të madhe islame, ish-banorët dhe pasardhësit e tyre kthehen për të ruajtur gjallë traditat, duke u mbledhur në xhami për faljen e namazit të Bajramit.
Xhamia e Caravajkës, ndonëse e rrethuar nga heshtja e një treve të boshatisur, për çdo Bajram gjallërohet nga zërat e lutjeve dhe rreshtat e besimtarëve që falen në oborrin dhe hapësirat e saj. Kjo praktikë ka mbetur një dëshmi e gjallë e lidhjes së pandërprerë me vendlindjen dhe me rrënjët fetare e kulturore të kësaj treve.
Ky ritual tradicional, që përsëritet vit pas viti, nuk është vetëm një akt besimi, por një formë e heshtur rezistence ndaj harresës dhe shpërnguljes që ka prekur këto zona. Për banorët e shpërngulur, falja e Bajramit në Karadak mbetet një rikthim simbolik në shtëpi, një përqafim shpirtëror me tokën e të parëve.